Si ndryshoi Kurti pas presionit ndërkombëtar për rinisjen e dialogut?

Kyreministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, edhe në fushatë por edhe pas saj vazhdimisht ka thënë se dialogu me Serbinë nuk do të jetë prioritet në qeverisjen e tij pas 14 shkurtit, mirëpo, pas pesionit ndërkombëtar “dëshira” e Kurtit ra poshtë, dhe rinisja e dialogut është çështje ditësh, shkruan Gazeta Metro.

Washingtoni dhe Brukseli, përmes diplomatëve të tyre kanë thënë se normalizimi i raporteve është thelbësor për integrimin e mëtejmë të Kosovës dhe Serbisë në institucionet euro-atlantike.

Kurti pasi fitoi thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, kishte thënë se ai nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë. I pari i Qeverisë kishte theksuar se megjithatë ai do të merret me dialogun dhe bisedimet kurdo që të ndodhin, dhe se dëshiron t’iu japë formë të re bisedimeve për siç thotë “për t’i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta”.

BE’ja dhe SHBA’ja kërkojnë nga qeveria e re të hyjë në dialog me Serbinë

Pas takimit me zyrtarët e lartë të BE dhe SHBA’së të ngarkuar për dialogun Prishtinë-Beograd, Lajcak dhe Palmer, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka presion nga Brukseli e as nga Washingtoni për të rinisur dialogu mes Kosovës e Serbisë, ndërsa konfirmoi se një takim i tillë do të mbahet në mes të qershorit.

Nga Prizreni, Kurti u shpreh se dialogu do të jetë parimor dhe i drejtë.

Nga ana e tij përfaqësuesi special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka theksuar që arsyeja kryesore e vizitës në Kosovë është përgatitja e takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vucic, i cili do të mbahet pas pak ditësh në Bruksel.

Takimet e zhvilluara, tha Lajcak, kanë qenë të dobishme dhe kanë ndihmuar që ky takim të jetë i suksesshëm.

Prania e të dërguarit special të DASH për Ballkanin Perëndimor, Palmer, sipas Lajcak është shenjë e bashkëpunimit me SHBA për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, tha të premten se negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të rifillojnë brenda ditësh.

Ai nuk e saktësoi datën e rifillimit të bisedimeve, por tha: “Po flasim për ditë, jo javë”, duke shtuar se Serbia është gjithmonë e gatshme të bisedojë dhe se vendi i tij nuk dëshiron një konflikt të ngrirë.

Presidenti serb foli pas vizitës së Palmerit dhe Lajçakut në Beograd, të cilët e nxitën Beogradin për t’i rifilluar bisedimet. Qeveria serbe ka deklaruar se procesi i normalizimit me Kosovën është një ndër prioritetet e saj.

Historiku i dialogut

Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011. Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.

Deri te fillimi i bisedimeve ka ardhur pasi që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Në një gjë të tillë kontribuoi mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010, sipas të cilit, “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.