Siberia “zbarkon” në Ballkan, vijnë disa ditë të vërteta dimërore

Masa të fuqishme të ftohta ajrore nga Siberia këtë fundjavë do të përfshijnë Gadishullin Ballkanik. Edhe pse këto masa ajrore do të jenë të thata, megjithatë në disa rajone do të sjellin edhe reshje bore.

Reshjet më të dendura të borës do të bien në viset kodrinore-malore të Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi ku trashësia e borës do të arrijë më shumë se 50 cm.

Sipas Meteo Ballkan reshje bore nga nesër do të ketë edhe në territorin e Republikës së Kosovës, më intensive në viset kodrinore-malore, por reshje bore do të ketë edhe nëpër ultësira diku pak më shumë e diku reshje tejet simbolike.

Reshjet më të pakta priten në disa ultësira të Dukagjinit, pra në perëndim dhe disa pjesë të qendrës së Kosovës.

Në viset tjera priten reshje të herëpashershme bore të cilat do të shoqërohen me erëra herë pas here të fuqishme veriore, kur pritet të krijohen edhe shtresa simbolike dekorative, ndërsa në viset kodrinore-malore do të krijohen shtresa solide bore të cilat do të krijojnë edhe orteqe si pasojë e erërave të fuqishme.

Reshje të herëpashershme bore priten edhe në verilindje të Shqipërisë dhe veriperëndim, veri dhe verilindje të Maqedonisë së Veriut dhe veri të Malit të Zi, normalisht më intensive në viset kodrinore-malore.

Reshje sporadike mund të ketë edhe në viset tjera kryesisht kodrinore-malore por në shumë pjesë të rajonit nuk do të ketë fare reshje veçanërisht në viset mesdhetare.

Temperaturat do të shënojnë ulje të theksuar dhe kështu së bashku me erërat e ftohta veriore do të kemi dy ose tre ditë të vërteta dimërore.

Nga e hëna dhe e marta pritet stabilizim gradual i motit por do të kemi acar sidomos gjatë netëve dhe mëngjeseve.