Simiqi s’e përjashton mundësinë që veturën mund t’ia kenë djegur serbët

0
190

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetar i Listës Serbe, Sllavko Simiq, të cilit para dy ditësh i është djegur vetura në Leposaviq, ka thënë se ky akt është “urryes dhe frikacak” dhe se nuk ka pasur për cak pronën e tij por zërin, unitetin dhe lirinë e serbëve.

“Ka struktura të caktuara të cilave nuk u pëlqen fakti se jemi mbledhur fuqishëm rreth Listës Serbe”, tha Simiqi për televizionin publik serb, duke kujtuar se këto struktura vijnë edhe nga serbët edhe nga shqiptarët.

Simiqi tha se nuk dëshiron të paragjykojë dhe ta lidhë atë ngjarje me zhvillimet në skenën politike në Kosovë, ku, siç thotë ai, ekzistojnë raporte të ftohta mes të gjitha palëve dhe ku askush nuk dëshiron të bëjë koalicion dhe t’i formojë institucionet.

Ai vlerëson se java e ardhshme do të sjellë risi.

“Mund të ndodhë që të përjashtohet Vetëvendosja nga e gjithë kjo histori dhe që aktorët konstruktivë politikë në Kuvend të marrin përsipër, të vijnë deri tek ndonjë marrëveshje, të ftojnë Listën Serbe dhe t’i formojnë institucionet në Prishtinë”, mendon Simiqi.

Pas propozimit të Albin Kurtit që, nëse formohet qeveria, komunitetit serb t’i takojë ministria për Kthim, Simiqi thotë se për këtë çështje s’kanë pasur bisedime me partitë më të mëdha në Kosovë dhe se nuk kanë marrë ndonjë porosi konkrete e as propozim se cilin dikaster do të mund ta udhëhiqte Lista Serbe.

“Por edhe sikur të ndodhë, do të kishim mekanizma minimalë të qeverisjes në Prishtinë, sepse në qeverinë e kalua ri kemi pasur tri ministri dhe më shumë njerëz në sistemin e Prishtinës”, tha Simiqi.