Sinani: Kosova dhe Presheva duhet të jenë njëzëri karshi politikave serbe

Ardita Sinani, këshilltare politike e kryeministrit, Albin Kurti, tha se në këto momente, Kosova dhe Lugina e Preshevës, duhet të jenë njëzëri karshi politikave të Serbisë.

Megjithatë, Sinani shprehi besueshmëri në punën e kryeministrit Kurti.

“Por, këtu është Serbia ajo që e pengon implementimin e marrëveshjeve, ashtu siç nuk ka zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Serbia nuk ka gatishmëri për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. Në këto momente, neve na duhet uniteti karshi politikës së në Beograd, karshi Serbisë dhe na duhet të fokusohemi sa më tepër që të jemi bashkërisht për të përçuar mesazhet tona, për të afirmuar situatën, shkeljet dhe diskriminimin që na bëhet nga Serbia. Karshi Beogradit duhet të jemi në një zë, nuk duhet të shfajësohet Serbia dhe të fajësohet Kosova. Ne kemi besim në kryeministrin e shtetit të Kosovës dhe delegacionin që përfaqëson”, deklaroi Sinani në emisionin “ResPublika”.

Sa i përket sulmit terrorist në Banjskë, Sinani i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që ta sanksionojë Serbinë sa më parë, shkruan teve1.info.

“Serbia jo që nuk implementon marrëveshjet, por edhe pengon marrëveshjet ndërkombëtare. Ne ftojmë faktorin ndërkombëtar, sidomos me veprimet e fundit dhe situatën në Banjskë, duhet të sanksionohet Serbia, duhet të bëhet fushatë që Evropa ta sanksionojë Serbinë. Ky është rasti që Evropa duhet ta shohë këtë Serbi e cila ndërmori aktin terrorist dhe që ende nuk po sanksionohet nga faktori ndërkombëtar dhe nga BE”, shtoi tutje ajo në Tëvë1.

Kujtojmë se në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.