Sindikata e Judikaturës pezullon grevën e paralajmëruar për 1 korrik

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, së bashku me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, kanë pritur sot në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Judikaturës të Kosovës.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i kërkesave të Sindikatës së Judikaturës drejtuar të dy Këshillave dhe Ministrit të Drejtësisë, kërkesa këto, të cilat kanë të bëjnë me statusin e administratës së gjykatave dhe prokurorive.

Palët u pajtuan që të punohet së bashku me përfaqësuesit e Sindikatës për hartimin e dokumentit për sistematizim e vendeve të punës sipas Ligjit të ri për pagat, të përfundojë procesi i rikthimit të stafit administrativ-teknik në shërbyes civilë, si dhe të bëhen përpjekje për realizimin e pagesës së shtesës prej 50 eurosh nga 1 janari 2019, siç është bërë deri më tani.

Pas arritjes së pajtueshmërisë për këto pika, përfaqësuesit e Sindikatës së Judikaturës së Kosovës konfirmuan se greva e paralajmëruar për të hënën më 1 korrik 2019 do të mbetet e pezulluar deri më 1 tetor 2019. ​