Klinaku nga OVL UÇK: EULEX po na detyron të sillemi sikur me Jugosllavinë

Sekretari i OVL UÇK-së, Faton Klinaku, tha se policia e EULEX-it ka hyrë në zyrat e tyre pa asnjë dokument apo përkthyes që të shpjegojë se për çka e kanë marrë një aksion të tillë.

Ai tha se kur ua kërkoi dokumentin për këtë veprim i kanë thënë se e kanë lënë lart në zyre, por që nuk ia treguan

“Isha në zyre duke pirë kafe kur këta zotërinj hynë në zyre pa dokument dhe pa përkthyes. Na kanë bllokuar. Në qoftë se shteti jonë nuk merr masa dhe nëse po na shtrijnë zullumin, po veprojnë si në kohë të Jugosllavisë atëherë edhe ne duhet të përgjigjemi si në kohë të Jugosllavisë”.

“Ishte hetuesi i Dhomave të Specializuara që ka qenë tri herë dhe i ka marrë dosjet. Nëse shteti s’merr masa ndaj këtyre kriminelëve do të jemi të detyruar vetë”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se kjo gjë është e turpshme.

“Turp i qoftë institucioneve të drejtësisë, parlamentit, presidencës. Ne sot kërkojmë që të këndellen dhe të mbushen mend të gjithë ata që janë ulur në postet e institucioneve tona. Sot po vërtetohet qëndrimi jonë që të mos votohet një gjykatë e tillë sepse shkel mbi gjithçka, mbi luftën, gjakun, gjymtyrët e invalidëve. Ne nuk frikësohemi. Të intervenojnë institucionet dhe të mos vijë te më e keqja që të vijë kushdo dhe kurdo të na largojnë nga zyrat tona”.