Sindikata e Policisë dërgon peticion në komisionin për të drejtat e njeriut, këto janë 10 kërkesat e tyre

Sindikata e Policisë së Kosovës ka dërguar peticion në Komisionin për të Drejta të Njeriut.

Këtë e ka bërë të ditur deputetja e PDK’së, Ariana Musliu- Shoshi, e cila është anëtare në këtë komision.

Ky peticion thuhet se është nënshkruar nga 5623 pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Kërkesat e tyre janë: Ligji i pagave, shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për staf civil, shujta mujore, shpërblimi për fundvit për performancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurimi shëndetësor dhe jetësor, ligji për pensionim në Policinë e Kosovës.

Shoshi ka thënë se kërkesat e tyre janë të domosdoshme dhe se duhet të aprovohen pa asnjë vonesë.

“Policia e Kosovës meriton përkrahje me vepra, boll me fjalë! Pushteti me votë në Kuvend duhet të dëshmoj përkrahjen!”, ka shkruar Shoshi.