Sindikata e Postës reagon për shkarkimet nga puna: Për hakmarrje e teke personale, pasojat po i bartin punëtorët

Lëvizja Fol e ka prezantuar raportin “Shkarkimi i paligjshëm i të punësuarve në sektorin publik dhe pasojat në buxhetin e shtetit”, ku ka trajtuar në përgjithësi problematikën e largimeve të paligjshme nga marrëdhënia e punës në sektorin publik, si dhe koston e buxhetit të shtetit si pasojë e këtyre largimeve. Sipas këtij raporti, mbi 300 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit shkarkimet e paligjshme nga puna.

E ndaj kësaj praktike të pushtetit të ri ka reaguar edhe Shoqata Sindikale e Postës së Kosovës.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale përmes adresës së saj, Shoqata Sindikale “Posta” ka shprehur shqetësime për shkarkimet dhe suspendimet e kundërligjshme të punëtorëve në këtë ndërmarrje publike, duke kërkuar prej menaxhmetit që të mos ndërmarrin veprime me motive të hakmarrjes personale e politike, transmeton Demokracia.com.

“Shprehim shqetësimin tonë për shkarkime dhe suspendime dhe vendime tjera duke mos u respektuar dispozitat e legjislacionit në fuqi që si pasojë mund të sjellin në dëmtime të rënda financiare për Postën e Kosovës. Kërkojmë nga KE dhe Menaxhmenti që të mos ndërmarrin veprime me motive të hakmarrjeve të ulëta personale, politike e partiake kundër askujt.

Kërkojmë nga Bordi i Drejtorve që urgjentisht të shqyrtojë këto raste dhe që çdo rast që konfirmohet i paligjshëm në organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës të paguhen nga ata që kanë marr veprime të paligjshme e jo nga buxheti i Postës së Kosovës. Nuk pranojmë që për teke personale e politike, për paaftësi dhe jo profesionalizëm të Menaxhmentit pasojat ti bart dhe ti paguajnë me djersën e punëtorit të pafajshëm të Postës së Kosovës. Shkeljet e tilla dëmtojnë rëndë imazhin e Postës, besimin e konsumatorëve dhe të punëtorve dhe janë goditje e rëndë për gjendjen e rëndë financiare në PK SH. A.

Secili që ben veprime të paligjshme do të paguajë vetë dëmin e shkaktuar”, thuhet në reagimin e Shoqatës Sindikale “Posta”.

Ushtruesja e Detyrës së Kryeshefes së Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, e cila, sipas burimeve brenda këtij institucioni, punon që 17 vite në këtë institucion dhe i kanë mbetur edhe 2 vjet për t’u pensionuar, siç mëson Demokracia.com, në përpjekje e sipër që të zyrtarizohet si kryeshefe po ndërmerr veprime me direktiva politike.

Demokracia.com para disa javësh kishte raportuar për injoruar një pretendim serioz të një zyrtari të Postës së Kosovës, që implikonte inspektorë postarë në marrjen e mitos.

Komisioni Disiplinor kishte mbajtur një mbledhje më 28 janar 2022, ku ishte bërë edhe denoncimi nga ana e një zyrtari lidhur me mitmarrjen e një inspektori postar.

Zyrtari i Postës (identitet i njohur për redaksinë) kishte pohuar në këtë mbledhje se “ka fakte dhe dëshmi ndaj inspektorit postar për marrje të mitos”.