Sindikata e Postës së Kosovës kërkon ekzekutimin e pagave

0
403
Kryesia e Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Postës së Kosovës, për shkak të mos ekzekutimit të pagave me pesë ditë vonesë, përmes një komunikate për media i drejtohet Bordit të Postës së Kosovës dhe aksionarit, Qeverisë së Kosovës, që të shtojnë përpjekjet për përmirësimin e gjendjes financiare të Postës së Kosovës, në të kundërtën nga java e ardhshme do të detyrohen të ndërmarrim hapa sindikalë deri në ekzekutimin e pagave.
“Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë financiare nëpër të cilën po kalon Ndërmarrja Publike, Posta e Kosovës Sh. A., si dhe duke pasur parasysh mosekzekutimin e pagave të punëtorëve edhe sot, që i bie pesë ditë me vonesë, ne ju drejtohemi përmes kësaj komunikate: Menaxhmentit të lartë, Bordit të Postës së Kosovës, si dhe aksionarit, Qeverisë së Republikës së Kosovës, që t’i rrisin përpjekjet e tyre maksimale për gjetjen e zgjidhjes afatgjatë, për ta përmirësuar gjendjen financiare të Postës së Kosovës, nga e cila sigurohet mirëqenia e mbi 1 000 familjeve që ekskluzivisht janë të varur nga paga e Postës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Postës.
Kryesia e Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Postës së Kosovës ka kërkuar përkrahje maksimale për fuqizimin e Postës së Kosovës.

“Në emër të Punëtorëve të Postës së Kosovës kërkojmë përkrahje maksimale në fuqizimin e PK,  si një e drejtë e garantuar me ligj për operatorin publik dhe përmes zbatimit të kontratave të shërbimeve postare, e cila ngrit kredibilitetin e shtetit të Kosovës si ndërmarrje publike. Ne kërkojmë përkrahje për punë, që përmes saj të arrijmë edhe të kemi mirëqenien tonë si çdo punëtor dhe ndërmarrje tjetër publike”, thuhet në komunikatë.