Sindikata thotë se Policia po përballet me incidente e sulme të shumta, kërkon dy gjëra nga Shteti

Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një komunikate për media, ka rikujtuar se punonjësit e këtij institucioni po rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre për sigurinë dhe mirëqënien e qytetarëve.

Në komunikatën e Sindikatës, ndër të tjerash, përmendet veriu i vendit, aty ku Policia haset me më së shumti sulme gjatë kryerjes së detyrës.

“Sindikata e Policisë së Kosovës është e shqetësuar me rastin e incidenteve dhe sulmeve kundër Policisë së Kosovës të cilat kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të vendit ku edhe sot është rrezikuar drejtpërdrejt jeta e tyre.

Raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën dhe mund të ketë edhe në të ardhmen e që kjo e pasqyron punën me rrezik për shëndetin dhe jetën e zyrtarëve policor që gjatë kryerjes së detyrave zyrtare sipas ligjit dhe autorizimeve e kanë përditshmëri gjatë 24 orë në ditë” thuhet në njoftim.

Tutje, Sindikata e Policisë ka përmendur edhe rastin e djeshëm, ku një objekt në Prishtinë u dogj, dhe e para që reagoi ishte vetë Policia.

E, për gjithë këtë punë, policët po kërkojnë vetëm dy gjëra: sigurimin shëndetësor dhe kushte më të mira të punës.

“Këto janë rastet më të freskëta që Institucionet e Republikës së Kosovës t’a kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës dhe të reflektojnë me urgjencë që t’a përmirësojnë mirëqenien dhe ti plotësojnë kërkesat dhe nevojat për Policinë e Kosovës siç janë: Sigurimi shëndetësor dhe jetësor si dhe kushtet e punës” thuhet tutje në komunikatë.