Çitaku për takimin e 2 Majit ku prezantohet Draft-statuti për Asociacionin: Të jetë në vijë me Kushtetutën

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka bërë të qartë se subjekti i saj asnjëherë nuk e ka kontestuar themelimin e Asociacionit.

Megjithatë si kaher, sipas saj, edhe tash insistojnë që kjo të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Partia Demokratike të Kosovës si subjekt që e ka një hise të trashëgimisë së saj kërkon që Kurti të jetë serioz, i përgatitur dhe të mos hyjë në aventura që prodhojnë pasoja afatgjate për Kosovën. Nuk e kemi kontestuar themelimin e Asociacionit. Megjithatë, insistojmë që çdo gjë të vihet në përputhje me Kushtetutën dhe të eliminohet mundësia për krijimin e një niveli të tretë të Qeverisjes”, u shpreh Çitaku për Front Online.

Deklarata e saj vjen një javë para takimit të 2 Majit në Bruksel mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje për qëllimin e mbledhisë të nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se në mesin e shumë temave do të prezantohet edhe Draft Statuti për Asociacionin.

Çitaku e PDK-së: Ujdia e Ohrit parasheh kompetenca përtej Asociacionit, paralajmëron kundërshtim

Çitaku thotë se ujdia e Ohrit parasheh kompetenca përtej Asociacionit.

“Ujdia e Ohrit përmban elemente përtej Asociacionit. Flitet për respektimin e të gjitha ujdive paraprake. Por, sikurse flitet edhe për një lloj autonomie, vetmenaxhimi dhe nuk e dimë çfarë nënkupton kjo”, u shpreh nënkryetarja e PDK-së për Front Online.

Megjithatë, numri dy i subjektit më të madh opozitar ka një paralajmërim për Qeverinë.

“Do të shfrytëzojmë çdo mjet për të kundërshtuar çdo ujdi që cenon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, paralajmëroi Çitaku.

Ajo ka veçuar dy gjëra që sipas saj e kanë karakterizuar procesin e dialogut nën qeverisjen Kurti.

“Fatkeqësisht po them që të vetmet elemente që e karakterizojnë kryeministrin për procesin e dialogut janë mungesa e konsistencës dhe e transparencës. Ka pasë pak transparencë dhe qartësi lidhur me ato që janë pozicione të Kosovës në proces. Të gjitha ato që janë thanë nga kryeministri për dialogun janë shkelur nga vetë ai me dy këmbët”, theksoi Çitaku për Front Online.

Zgjedhjet në Veri/Çitaku: Keq që pjesëmarrja në votime ishte e ulët

Vlora Çitaku ka folur edhe për zgjedhjet në Veri, atje ku Partia Demokratike e Kosovës fitoi dy komuna, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Asaj i vjen keq që pjesëmarrja në votime ishte shumë e vogël.

“PDK ka marrë pjesë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Nuk garojmë për herë të parë në Veri. Është për të ardhur keq që pjesëmarrja ka qenë në nivel të ulët. Presim që institutcionet t`i caktojnë hapat e radhës tash pas mbajtjes së zgjedhjeve”.

Rezultatet preliminare në zgjedhjet e parakohshme për kryetar komunash në pjesën veriore të Kosovës kanë përfunduar, ndërsa PDK dhe VV janë ndarë baraz me fitore.

Sipas rezultateteve preliminare të publikuara nga KQZ, partia më e madhe opozitare, PDK ka fituar Komunën e Zveçanit dhe atë të Leposaviçit.

Kandidati i saj, Izmir Zeqiri, fitoi ngushtë ndaj kandidatit të VV-së, Flatron Hasani. Zeqiri mori 196 vota apo 52.1 për qind, kurse Hasani pati 180 vota apo 47.9 për qind. PDK-ja do ta ketë kryetarin e komunës edhe në Zveçan. Ilir Peci mori 114 vota apo 60 për qind, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 71 vota apo 37.4 për qind. Sllagjana Pantoviq mori pesë vota apo 2.6 për qind.

Ndërsa partia në pushtet, Vetëvendosje e cila ka mbështetur kandidatin boshnjak në Mitrovicë të Veriut ka dalë e para sikur edhe në Leposaviç.

Kandidati i VV-së, Erden Atiq ka fituar 519 vota apo 66.5 për qind. Pas tij është renditur kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi, që mori 186 vota apo 23.8 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica mori 75 vota apo 9.6 për qind.

Në Leposaviq, Lulzim Hetemi i VV-së mori shumicën e votave. Hetemi numëroi 100 vota apo 73.5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind. Aleksandar Jabllanoviq, edhe pse u tërhoq nga gara, mori dy vota.