Sindikatat nuk pranojnë koeficient nën 120 euro, paralajmërojnë veprime sindikale

Së shpejti do të dihet vlera e koeficientit të Ligjit të Pagave.

Qeveria do ta nisë atë brenda pak ditësh në Kuvend, ka njoftuar të hënën shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

“Nëse jo këtë javë, javën tjetër gjithsesi do e përcjellë në Kuvend, të miratuar në kuadër të projektligjit për buxhetin, me ç’rast do të bëhet një plotësim ndryshim i projektligjit për buxhetin në mënyrë që të jetë fiks vlera e koeficientit”.

Deri të ndodh kjo, Kusari nuk pranoi të flasë për vlerën, e cila mbetet sekrete tash e tri javë prej kur Ligji u publikua në Gazetën Zyrtare.

Kjo po i irriton sindikatat e punonjësve shtetërorë, të cilat thonë se koeficienti nën 120 euro është i papranueshëm për ta.

Jasharaj: Jemi në stres, nën 120 euro koeficienti i papranueshëm

Këtu bën pjesë SBASHK-u.

“Jo nuk kemi info zyrtare përmes disa spekulimeve që thuhen. Jemi në stres, pa e ditë koeficientin ne nuk po dimë a t`i gëzohemi apo jo Ligjit të Pagave. Uroj që koeficienti të jetë 120 euro dhe jo më e vogël. Kjo siguron një lëvizje të pagave”, theksoi për “Front Online” kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj.

Nëse s`përmbushet kjo pritshmëri, ky paralajmëron veprime sindikale.

“Kemi kërkuar ta kemi këtë ligj. Do të shohim, shpresojmë, nëse jemi të pakënaqur do të reagojmë dhe shohim pastaj hapat e radhës. Greva për momentin nuk është opsion”, deklaroi Jasharaj për “Front Online”.

Sindikata e Shëndetësisë: Nëse koeficienti është nën 120 euro, do ketë rebelim

Të njëjtën kërkesë, që koeficenti të jetë mbi 120 euro, e kanë edhe mjekët.

Kryetarja e FSSHK-së, Tevide Imeri i tha “Front Online”-it se nën këtë vlerë nuk i bie të ketë rritje rroge.

“Kemi dashtë të jetë 132 euro, 50 % e pagës minimale. Megjithatë çka është nën 120 euro është e papranueshme për ne”.

Edhe tek mantelbardhët paralajmërojnë kundërshti.

“Sigurisht që do të ketë rebelim nëse është nën 120 euro vlera e koeficientit. E kemi pasur një takim me Arben Vitinë, por ai ka thënë se nuk e dinë akoma as ai koeficientin. Jemi në mjegull. Nuk e dimë çka do të ndodh”, u shpreh Imeri për “Front Online”.

Policët duan që vlera e koeficientit të jetë 130 euro

E kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri tha se akoma janë në terr informativ sa i përket koeficientit.

“Jo nuk kemi akoma informacion të saktë. Jemi kureshtarë me ditë. Koeficienti i pranuar është 130 euro, nën këtë shumë s`jemi të kënaqur”, deklaroi Zeqiri për “Front Online”.