Sindikatat paralajmërojnë Presidentin, pasi nuk i adresoi ankesat e tyre për pagat

0
227

Ka hyrë në fuqi Ligji për Pagat, pasi Presidentit Thaçi i ka kaluar afati për ta dekretuar apo kthyer mbrapsht në Kuvend. Në zyrën e tij kanë mbetur shumë ankesa, ndërsa sindikata të ndryshme paralajmërojnë sërish bllokada.

Presidenti Thaçi po e shqyrtonte mundësinë e kthimit të Ligjit të Pagave në Kuvend. Ai në një konferencë për media tha se dëshironte të shqyrtoheshin ankesat e sindikatave të punonjësve të sektorit publik.

Megjithatë, Ligji i Pagave ka hyrë sot në fuqi, dhe sindikalistët thonë se nga Zyra e Presidentit nuk u ka ardhur asnjë përgjigje, pos që kanë kuptuar fuqizimin e ligjit.

Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe ligji u fuqizua ndërsa sindikalistët paralajmërojnë greva, dërgimin e ligjit në Gjykatë Kushtetuese.

Nexhat Llumnica nga sindikata e Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë se nga Zyra e Presidentit nuk kanë marrë asnjë paralajmërim dhe as ndonjë përgjigje rreth ankesave të tyre.

“Kemi dërgu ankesa për amandamentet ky hyn KEK’u nuk ka pasur asnjë përgjigje apo reagim të Presidencës. Ne do t’i shterim të gjithë mundësitë tona, deri te greva”, është shprehur Llumnica për Gazetën Express.

Ndërkaq, sindikalistët e shërbyesve civilë paralajmërojnë se do të ndërmarrin masa deri në paralizimin e shtetit.

Kryesindikalisti i sindikatës së shërbyesve civilë, Mursel Zymberi, ka thënë për Gazetën Express se përmes mediave janë lajmëruar për hyrjen në fuqi të ligjit, ndërsa për ankesat e tyre nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Zyra e Presidentit.

“E kemi thënë edhe më herët se nëse ligji hyn në fuqi, atëherë ne do të shterrim të gjitha rrugës deri në plotësimin e kërkesave tona”, ka thënë Murseli.

Ai thotë se janë ankuar edhe te Avokati i Popullit, ndërsa do kërkojnë që ligji të shkarkohet përmes Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse Gjykata Kushtetuese nuk e shfuqizon këtë ligj, atëherë qetësia sociale do të prishet në total dhe le të përgatitën pushtetarët që do të kenë punë me komplet administratën publike edhe ka me pasë bojkot të punës”.

Ndërkaq, sindikalisti tashmë i njohur i arsimit, Rrahman Jashari ka thënë se, sipas informacioneve të tij, në Presidencë janë ankuar vetëm një grup i mësimdhënësve për Ligjin e Pagave.

“Ne nuk kemi  bërë ankesë pasi jemi marrë vesh në dy takime me krerët shtetërorë. Kemi informacione, por nuk mund të them sigurt, se një këshill i organizuar nga mësuesit nga klasa e parë deri në të pestën ka dërguar një kërkesë që të mos hyjë në fuqi ligji”, ka thënë Jashari.

Pasi Ligji i Pagave u miratua në Kuvend më 2 shkurt, Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Thaçi, pati thënë se Zyra e Presidentit po e shqyrton mundësinë e kthimit të ligjit serish në Kuvend.

“Për shkak të ankesave të pranuara, kërkesave të sindikatave dhe të shoqatave profesionale, të OJQ-ve, por edhe të shoqatave të veteranëve, presidenti po e shqyrton seriozisht mundësinë që të mos e ratifikojë Ligjin për Pagat dhe t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim”, kishte thënë Arifaj për Lajmi.net.

Atë kohë, kur përplasjet  publike mes Presidentit e Kryeministrit ishin rritur,  zyra e kryeministrit kishte paralajmëruar institucionin e Presidentit se kthimi i Ligjit të Pagave do të ishte goditje e reformës shtetërore.

“Miratimi në Kuvend i Ligjit për Pagat është një hap i madh që i jep fund arbitraritetit të pagave në sektorin publik dhe kthimi prapa i tij, do të ishte goditje për reformën shtetërore”, thuhej në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.