Situata e sigurisë në veri/ Ja çfarë po paralajmërojnë ekspertët e sigurisë

Qindra serbë janë mbledhur në veri pas arrestimit të sotshëm nga Policia e Kosovës të Milun Milenkovicit, një nga udhëheqësit e “Mbrojtja Civile”.

Gjatë arrestimit të tij janë sulmuar zyrtarët policorë dhe tre nga ta kanë marr lëndime trupore.

Në protestë serbët janë parë me maska ku kanë sulmuar me gurë veturat e Policisë së Kosovës.

Njohësi i sigurisë: Mund të kemi barrikada në veri, situata kaotike

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, po paralajmëron se pas situatës së krijuar në veri të vendit mund të ketë vendosje të barrikadave.

Shala thotë se situata në veri të Kosovës pasi organet e drejtësisë kanë filluar të veprojnë është kaotike.

“Pas arrestimit të organizatorit kryesor ndaj sulmit të KFOR-it dhe policisë e dëshmon faktin që mund të paraqitet në situatë kaotike pasi kanë filluar organet të veprojnë dhe të arrestojnë kriminelët. Numrin e madh të qytetarëve të mbledhur në veri e dëshmon faktin që mund të kemi barrikada dhe vazhdim të bllokimit të 3 komunave”, u shpreh Shala.

Shala tha se pas protestave të sotshme të serbëve, duhet të jemi vigjilent dhe të komunikojmë me aleatët.

“Siç është duke shkuar situata atje pesë kërkesat e Kurtit nuk do të merren parasysh se mund të ketë takim të shpejt brenda 48 orëve në Bruksel. Ne duhet të jemi vigjilent dhe të filloj komunikimi me partnerët tanë strategjikë”, thotë Shala.

Islami: Edhe nëse eskalon situata në veri, institucionet nuk duhet të ndalen në shtrirjen e sovranitetit

Mendim ndryshe nga Shala, ka eksperti i sigurisë, Avni Islami.

Islami tha për Front Online se nuk mund të ketë diçka të jashtëzakonshme në veri, përveç protestave.

Ai thotë se institucionet kosovare nuk duhet të ndalën në vendosjen e sovranitetit edhe nëse eskalon situata.

“Këto ngjarje të cilat kanë filluar të manifestohen në veri është tentativë për institucionet e Kosovës për ta shtrirë sovranitetin në të gjithë vendin. Ne pamë se çfarë skena brutale bëjnë qytetarët serb atje, për ta shtrirë autoritetit atje duhet që të arrestohen kriminelët të cilët kanë sulmuar KFOR-in dhe policinë dhe institucionet kosovare nuk duhet të ndalën me krimet e organizuara atje deri në vendosjen e plotë të sovranitetit pavarësisht nëse eskalon situata apo jo. Nuk mund të ketë diçka të jashtëzakonshme në veri përveç protestave për lirimin e kryekriminelëve”, përfundoi Islami.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e përshkroi të arrestuarin Milun Milenkoviq si organizatorin kryesor të sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 maj në Zveçan.

Mbi 30 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s kishin mbetur të lënduar në një përplasje me protestuesit e dhunshëm të cilët i goditën ushtarët, duke hedhur në drejtim të tyre edhe mjete plasëse si shok-bomba dhe molotov.