Situata e tensionuar Ukrainë-Rusi ka ndikuar që çmimet e derivateve të rriten në Kosovë

Situata e tensionuar Ukrainë-Rusi ka ndikuar që çmimet e derivateve të rriten në Kosovë

Situata politike e tensionuar në mes të Ukrainës dhe Rusisë, ka ndikuar që çmimet e derivateve të rriten në të gjitha tregjet botërore, ku kjo ka reflektuar edhe në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.

Kështu ka thënë Metron, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili është pyetur se pse nuk janë ulur çmimet e derivateve, pasi që vet ka deklaruar se çmimet do të ulen në fund të janarit.

Ai ka thënë se në bazë të informatave dhe komunikatës të organizatës prodhuese të muajit dhjetor 2021, është pritur që në fund të janarit do të ulen çmimet dhe do të ketë stabilizim të tregut.

“Unë kam deklaruar gjithmonë sipas organizatës prodhuese, e cila ka thënë se do të ketë prodhim më të lartë dhe çmimet do të ulen. Por kjo nuk është duke ndodhur, çmimet janë duke u rrit në mënyrë të theksuar”, ka thënë Berjani për Metron.

Tutje ai shtoi se çmimet përcaktohen nga bursa botërore dhe organizata prodhuese OPEC.

Berjani ka treguar edhe se si sillen çmimet e derivateve në Kosovë dhe në regjion.

“Sot çmimet në Kosovë sillen, dizelli 1.23 cent deri 1.30 cent, benzina 1.25 cent deri 1.32 cent. Ndërsa në Shqipëri çmimet sillen, dizelli 1.55 cent, benzini 1.56 cent. Çmimet në regjion të gjitha i kanë çmimet më të larta se ne, përveç Maqedonisë Veriore e cila e ka dizellin më ulët se ne, por e ka akcizen më të ulet se ne për litër, 22 cent”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për Metron.

Ai u pyet se pse nuk kemi ulje të çmimeve në Kosovë, por ato janë duke u rritur, ku siç dihet këtë javë çmimi i tyre është rritur shumë.

Berjani ka thënë se situata politike e tensionuar në mes të Ukrainës dhe Rusisë, ka ndikuar që çmimet e derivateve të rriten në të gjitha tregjet botërore, ku kjo ka reflektuar edhe në Kosovë.

“Çmimi në Berz, ka arrit të jetë më i larti për 20 vitet e fundit. Ndikim pse nuk u ul çmimi është situata politike e tensionuar Ukrainë-Rusi. Derivatet janë rritur në të gjitha tregjet botërore dhe kjo ka reflektuar edhe tek ne në Kosovë. Po qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion”, është shprehur ai.

Në fund kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës është shprehur se çmimet janë të larta për standardin tonë por kjo nuk varet nga ta sepse çmimet i përcakton Berza dhe organizata prodhuese OPEC.