Situata në Veri, anulohet stërvitja ndërkombëtare ‘Defender Europe’ në Kosovë

Stërvitja ndërkombëtare ushtarake “Defender Europe 2023” në Kosovë do të anulohet.

Të paktën kështu ka bërë me dije ministria e Mbrojtjes në Kosovë, e cila thekson se anulimi ka ardhur për shkak të situatës së krijuar në veri të vendin.

“Ju njoftojmë se për shkak të situatës në veri të vendit, aktiviteti i paraparë për sot (DV DAY), në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, anulohet”, shkruhet në njoftim.

Stërvitja ka nisur më 21 maj dhe përfshin më shumë se 7 mijë anëtarë të shërbimit të SHBA dhe 17 mijë trupa shumëkombëshe nga më shumë se 20 vende aleate dhe partnere.

Kjo stërvitje e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s bëhet çdo vit, në shkallë të gjerë dhe drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kjo stërvitje e përbashkët, shtetet krijojnë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes SHBA-ve, NATO-s dhe vendeve aleate.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje ushtarake për herë të parë ishte bërë në vitin 2021, ndërsa rëndësia e kësaj stërvitje për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), është e shumëfishtë e njëra ndër to është edhe ndërtimi i mëtejmë i besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.