S’ka asnjë shqiptar në Afganistan, konfirmon Ministria e Jashtme e Shqipërisë

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shqiptare konfirmon se zyrtarisht nuk ka asnjë shqiptar në Afganistan.

Ministria sqaron për Euronews Albania se ushtarakët e misionit paqeruajtës janë kthyer në Shqipëri pak muaj më parë.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani u largua nga vendi të dielën, pasi talebanët morën nën kontroll pallatin presidencial në Kabul. Këta të fundit janë zotuar se do të vendosin paqe si dhe do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Ndërkohë, forcat amerikane kanë nën kontroll vetëm aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ku ndodhen qindra afganë, të cilët kërkojnë të largohen nga vendi.

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë të gatshme për të strehuar emigrantë nga Afganistani.

Aktualisht në Afganistan ndodhen rreth njëqind shtetas të Maqedonisë së Veriut që punojnë në kompani private.

Ministrja e Jashtme në RMV ka bërë me dije se po hartohet një plan tërheqje i tyre në rast rreziku.