S’ka më votim sonte për të zgjedhur presidentin, seanca vazhdon nesër

Në mungesë të kuorumit në votimin e presidentit, seanca për zgjedhjen e presidentit është shtyrë për nesër (4 prill) në orën 17:00, shkruan Fokusi.info.

Këtë lajm e ka bërë të ditur, kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Duhet theksuar se ka dështuar në dy votime të raundit të parë zgjedhja e presidentit për arsye që nuk kishte kuorum, herën e parë ishin 78 vota, kurde herën e dytë (ripërsëritja e votimit të parë) ishin 79 vota.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj nuk kanë marrë pjesë në votim.