Skandalizon me fjalor të Kremlinit, Ministri serb përdor referenca të “nazizmit” për Kurtin

Beogradi tashmë ka adoptuar frazat propagandistike të Kremlinit duke folur me terma reference të “nazizmave” në raport me shtetin e Kosovës.

Ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, u lëshua në mënyrë skandaloze në komentime si “do ta flasim se kush do ta varë kënd në Terazije” duke iu referuar ngjarjeve famëkeqe të varjes së disa serbëve nga nazistët gjermanë më 1941. Krejt kjo duke thënë se Kurti dëshiron “fizikisht t’i marrë objektet komunale në veri, të shqyejë simbolet serbe dhe të hy në konflikt me shumicën absolute të popullatës”.

Por, nuk ndalet vetëm në kaq. Ai vazhdon të thotë se “Kurti po shfrytëzon ngjarjet tragjike në Serbi si momentum që i jep avantazh”.

“Që ta dini se kjo nuk do ta ndalë çështjen e të folurit rreth Kosovës. Kurti ka plan që më 28 maj fizikisht t’i marrë komunat në veri, për të shqyer të gjitha simbolet serbe dhe të hyjë në konfrontim me popullatën shumicë. Dhe do të flasim se kush e ka varur kënd në Terazije”, ka thënë Vuçeviq,siç e cituan mediat serbe.

Duke kritikuar opozitën serbe, ai sërish merret me Kosovën. “Për ta është si çështja e Madagaskarit”, tha ai duke folur sërish në paramendime e referenca të “nazizmave”.

Kujtojmë se kohëve të fundit një gjuhë e tillë është përdorur nga i mbarë spektri qeveritar në Beograd. E madje, më skandalozi kishte qenë një zyrtar i lartë i partisë së Vuçiqit, Vladimir Gjukanoviq, i cili kishte shkruar në Twitter se “Serbia do të detyrohet të denazifikojë Ballkanin”.