SKANDALOZE: Gjykata Speciale i cilëson masakrat në Likoshan, Çirez e Prekaz vetëm si sulme të forcave jugosllave

Në fund të muajit shkurtit dhe në mars të vitit 1998, serbët i kanë kryer masakrat e para në Drenicë, megjithatë Gjykata Speciale nuk i njeh si të tilla.

Masakrat në Likoshan, Çirez e Prekaz, Gjykata Speciale i cilëson vetëm si sulme. Kjo theksohet qartë në pikën 20 të aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përcjell Demokracia.com.

“Konflikti i armatosur mes UÇK’së dhe Forcave të Ushtrisë Jugosllave u intensifikuan në shkurt dhe në mars 1998, Forcat e Ushtrisë Jugosllave zhvilluan sulme në Çirez, Likoshan dhe Prekaz. Më 5 mars 1998 sulmi në Prekaz të Skenderajt, forcat e Ushtrisë Jugosllave vranë më shumë se 50 njerëz, përfshirë Adem Jasharin, komandant i njohur i UÇK’së dhe gati të gjithë familjen e tij”, thuhet ndër të tjera.

Pika 21 e të njëjtës aktakuzë, thotë se aksionet e UÇK-së në po të njëjtën periudhë janë “terroriste”.

“Më 31 mars 1998, konflikti eskaloi në një masë që Këshilli i Kombeve të Bashkuara kaloi rezolutën 1160, për të ndalur shitjen ose furnizimin e armëve për Ushtrinë Jugosllave, duke kërkuar nga Ushtria Jugosllave të marrë masa për të arritur një zgjidhje politike në Kosovë, dhe duke i bërë thirrje UÇK’së që t’i dënojë aksionet terroriste dhe t’i arrijë qëllimet e veta përmes rrugëve paqësore”, thuhet në aktakuzë, përcjell Demokracia.com.

Që nga viti 1991 deri më 1998, në Drenicë ishin shtuar forcat serbe për ta shtypur rezistencën që kishte nisur të organizohej, përcjell Demokracia.com.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa, sulmin e dytë, forcat serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar, forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Sulmit ia doli t’i shpëtoi Bashkimi, djali i Rifatit, i cili mes datës 5-6 mars u largua nga shtëpia. Po ashtu, sulmit i shpëtoi Besarta, e cila e pa gjithë ngjarjen deri sa familjarët e saj po vriteshin dhe masakroheshin nga forcat serbe.