S’kanë rrymë që 24 orë, banorët e Veternikut protestojnë

Banorët e Veternikut në orët e mbrëmjes kanë protestuar për mungesën e energjisë elektrike, një problem ky me të cilin po përballet krejt Kosova.

Njëri nga përfaqësuesit e lagjes, Tomor Baruti, tha se po protestojnë në shenjë pakënaqësie pasi janë bërë më shumë se 24 orë që janë pa energji elektrike dhe nuk kanë asnjë përgjigje nga KEDS-i.

“Prej mbrëmë, në orën 23:00, nuk kemi rrymë. Shumica e banorëve këtu ngrohen me rrymë. KEDS-i nuk na lajmërohet ndonëse e kemi thirrur të gjithë banorët, madje edhe kemi shkuar edhe aty. Asnjë përgjigje nuk kemi. Halli jonë është që rrymë nuk kemi, e as përgjigje nuk kemi dhe nuk e dimë ku është problemi”.

Meqë shumica e banorëve të kësaj lagje të qytetit ngrohen me rrymë, Baruti në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka thënë se i kanë dërguar familjet tek familjarët dhe në shtëpi po qëndrojnë vetëm kryefamiljarët.

“Shumica i kemi larguar familjet nga shtëpitë dhe i kemi dërguar te të afërmit. Ne po rrimë, sepse duhet të jetë dikush në shtëpi për shkaqe sigurie. Problemi më i madh është që askush nuk na jep përgjigje”.

Ai ka thënë se nëse edhe pas kësaj proteste nuk do të marrin përgjigje nga KEDS-i, do të detyrohen që të ndërmarrin hapa edhe më drastikë.

“Ne jemi në hall dhe në shenjë proteste kemi dalë këtu. Në rast se nuk na përgjigjet askush nga KEDS-i ne do ta bllokojmë rrugën kryesore në lagjen Veternik. Nuk kemi rrugëdalje tjetër. Le të na përgjigjet dikush pse nuk kemi rrymë”.

https://youtu.be/V1k5hpRJ3bs