Skender Hyseni lirohet nga akuza për mosraportim të pasurisë

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skender Hyseni, i akuzuar për mosraportim të pasurisë.

Hyseni akuzohej se në cilësi të Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj Hysenit u shpall të martën, nga gjykatësi Sabit Sadikaj. Sipas aktgjykimit, nuk është provuar se Hyseni ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh. Kurse, Hyseni lirohet nga shpenzimet gjyqësore.

Gjykatësi Sadikaj tha se gjykata erdhi në këtë vendim, duke u bazuar se mjetet me të cilat është blerë automjeti që rezulton i padeklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë, konkretisht automjeti “Volkswagen”, nuk është provuar se rrjedh nga ndonjë veprimtari kundërligjore, pra nuk ka dyshime se i akuzuari kishte ndonjë arsye për të mos e deklaruar këtë automjet, pasi kjo vepër kryhet vetëm me dashje.