Smaka tregon se a mund të jetësohet kushti i Albin Kurtit për mjekët kosovarë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, Albin Kurti, në një intervistë televizive ditë më parë kishte thënë se kur të vij në krye të qeverisë do të ua ndaloj mjekëve për të punuar në dy sektorë në të njëjtën kohë, në publik dhe privat.

Profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka, për GazetënBlic tha se ideja Kurtit duhet sa më parë të jetësohet sepse në këtë mënyrë po abuzohet shumë në këtë profesion në sektorin e shëndetësisë, madje ai tha se edhe në universitete duhet të futet ky kusht.

“Kjo është tematikë e marrëdhënies së punës nuk ka nevojë këtu Kushtetuta për të ndryshuar apo plotësuar, por Ligji për Punën dhe ajo punë mund të bëhet dhe duhet të bëhet sepse është shumë e dobishme sepse sot për sot bëhen abuzime të mëdha, nuk kryhen punët mirë me kualitet as në sektorin publik e privat, privat janë çmimet e larta dhe punët lihen në gjysmë, kjo punë duhet të sqarohet, ose dëshiron publik ose privat”, tha Smaka.

“Duhet caktuar standardet rigoroze, higjiena teknike, teknologjike dhe pastaj sanitare e më pas çmimet duhet të caktoj ministria për shëndetësi dhe duhet të jenë publike, kjo do duhej të zgjidhej edhe me angazhimet e shumë profesorëve universitar me mbi 10 vende pune që asnjëri nuk i kryen punët sa dhe si duhet, vetëm i marrin në qafë studentët, prindërit etj”, shtoi ai.

Smaka shtoi se mund të ketë raste kur një mjek të ushtroj profesionin në dy sektorë, por që janë të rralla.“Duhet çdo kusht një vend pune, eventualisht nëse ka dështuar diçka konkursi dhe ka nevojë urgjence për të e kurrsesi dy vende pune”, tha ai.

“Nuk ka nevojë kushtetutën sepse nuk ka të bëj ajo çështje me kushtetutën por me ligjin për punën”, shtoi Smaka për GazetënBlic.