Sokoli: Një kombëtare e përbashkët do të garantonte kualifikimin në garat e mëdha

Sipas trajnerit Bylbyl Sokoli, një kombëtare e përbashkët shqiptare ku do të grumbulloheshin lojtarët më cilësorë nga të gjitha viset shqiptare, do të garantonte kualifikimin në çdo Kampionat Evropian dhe Botëror.

Në Interaktiv të KTV-së, Sokoli ka thënë se “një kombëtare e fuqishme shqiptare do të ishte faktor me rëndësi në futbollin botëror”.

“Para së gjithash aktet normative të UEFA-s e FIFA-s mundësojnë bashkimin e dy federatave të pranuara. Nëse shtrohet pyetja a është më mirë përkundër pranimit tonë, mendoj ende se një kombëtare shqiptare do të jetë më e fuqishme gjithmonë për shkak të grumbullimit të cilësisë, e që do të siguronte kualifikimin gjithmonë në Evropian e Botëror”, ka thënë ai.

“Nëse cilësia grumbullohet nga gjithë shqiptarët, imagjinoni sikur të ishin tre-katër futbollistë të Maqedonisë nga Premier Liga, 3-4 nga Shqipëria në nivele të larta, nëse ekipin e Zvicrës ku luan Ajeti, Xhaka, Shaqiri do të ishin së bashku s’do të kishim problem. Shtrohet pyetja pse s’luajnë tash? Interesi i tyre nuk është sepse as Kosova e as Shqipëria s’kanë ekipe për t’u kualifikuar në këto evenimente dhe me këtë u bie edhe çmimi”, ka shtuar më tej Sokoli.

Sipas tij, “Shqipëria pati sukses sepse në përbërje pati Gjimshitin, Canën e Alitin nga të gjitha viset që u grumbulluan. Nëse tani luajnë Rashica e Zeneli për Kosovën e shpërndahet cilësia, suksesi nuk është i garantuar”.