Soltes tregon se kur do ta marrë Këshilli i BE-së vendimin për vizat

0
658

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, ka thënë se nuk mund të jap një datë të saktë se kur mund të ndodh liberalizimi i vizave, megjithatë sipas tij një vendim i tillë duhet të merret sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Përgjegjës për këtë ai thotë se tashmë janë Këshilli Evropian dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, prej të cilave pritet të jepet drita e gjelbër.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, thotë se procesi i liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës tashmë ndodhet në dorën e Këshillit Evropian, pasi që Parlamenti Evropian votoi pro procesit të liberalizimit të vizave të enjten me 28 mars 2019.
Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, ai thotë se votimi i të enjtes rikonfirmoi edhe një herë pozicionin e Parlamentit Evropian duke e fuqizuar atë edhe më shumë.

“Përmes votimit në seancën plenare të Parlamentit Evropian javën e kaluar, pozicioni i Parlamentit Evropian është rikonfirmuar dhe rrjedhimisht është bërë më i fuqishëm”, ka thënë Soltes.

I pyetur për hapat e ardhshëm të cilëve do t’iu nënshtrohet procesi i liberalizimit të vizave, raportuesi për Kosovën, thotë se për një gjë të tillë duhet të dihet pozicioni i Këshillit Evropian.

“Ne ende jemi duke e pritur qëndrimin e Këshillit Evropian, në mënyrë që të fillojnë negociatat tre palëshe ( në mes të dy bashkë ligjvënësve”, ka sqaruar Igor Soltes për Gazetën Express.

Sa i përket rëndësisë së Përfaqësisë së Përhershme të Rumanisë në BE, Soltes thotë se ata do të udhëheqin negociatat si palë e Këshillit Evropian deri me 1 korrik të këtij viti, dhe se do të përfaqësojnë qëndrimin tyre sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Ata do të udhëheqin presidencën deri me 1 korrik 2019, ndërsa pas tyre udhëheqjen do ta marrë Finlanda. Shteti që e ka presidencën e Këshillit i udhëheq negociatat si palë e Këshillit dhe e përfaqëson qëndrimin e tyre në negociata”, ka sqaruar ai.
Ai thotë se pas gjithë atyre votimeve që kanë ndodhur në Parlamentin Evropian, tashmë është radha e Këshillit të Evropës dhe shteteve të BE-së që të japin dritën e gjelbër në mënyrë që të përfundohet liberalizimi i vizave për kosovarët.

“Në këtë pikë, topi është në anën e Këshillit dhe të shteteve anëtare të BE-së, pasi ato duhet të japin dritën e gjelbër në mënyrë që të vazhdohet dhe të përfundohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka sqaruar Soltes për Gazetën Express.
Ai ka refuzuar që të tregojë nëse liberalizimi do të ndodh gjatë kësaj vere.

“Nuk ka datë ose kohë të caktuar për këtë, por shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejtë që është e mundur”, ka përfunduar raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes.

Pas votimit të ndodhur të enjtën në Parlamentin Evropian, kishte reaguar edhe anëtarja tjetër e këtij parlamenti, Tanja Fajon, e cilia kishte bërë thirrje që Këshilli Evropian të veprojë menjëherë.

“Një shumicë e mirë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. I bëjmë thirrje Këshillit të Evropës që të veprojë menjëherë”, kishte shkruar Fajon.
Ndërkohë krerët politik në Kosovë nuk janë mjaftuar vetëm me atë votim në Parlamentin Evropian, duke kërkuar që Kosovës t’i liberalizohen vizat, pasi për këtë gjë i kanë përmbushur të gjitha kriteret.