Sonte ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve

Champions League ndizet sonte në mbrëmje me ndeshjen e parë gjysmëfinale të këtij edicioni. Në stadiumin e ri të Tottenhamit, Spurs-at do të presin në shtëpi surprizën e madhe të këtij edicioni, Ajaxin e Amsterdamit.

Spektakli duket i garantuar në këtë sfidë që premton shkëndija të mëdha. Pasi ka eliminuar kampionët në fuqi të Realit të Madridit dhe një prej skuadrave pretendente për të triumfuar në këtë sezon, Juventusin, Ajaxi i Ten Hag shikohet favorit edhe sot për faktin se transfertat janë pika e fortë e harkëtarëve ndërkohë që kanë edhe një avantazh të madh, pasi Tottenhami nuk do të ketë në dispozicion dy sulmuesit e saj kryesorë.

Harry Kane vazhdon të jetë i dëmtuar ndërsa Son Heung-Min është i skualifikuar, mungesat e tyre pritet t’i mbulojnë Lucas dhe Llorente. Aurier është një tjetër mungesë për Spurs ndërkohë që në dyshim të madh janë edhe Harry Winks e Eric Lamela.

Nuk vuan nga probleme të tilla Ajaxi që edhe në këtë sfidë do të mbështetet te më të mirët pasi nuk ka probleme me dëmtimet ose skualifikimet. Të dyja skuadrat do të kërkojnë të hedhin që sot një hap drejt finales së madhe edhe pse gjasat janë që gjithçka të vendoset javën e ardhshme në Amsterdam.