Soreca: Shqipëria vendi i parë jashtë BE-së që ka nënshkruar me ‘Frontex’

Marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian hyn nesër në fuqi.

Këshilli i Bashkimit Europian njoftoi hyrjen në fuqi të marrëveshjes ditën e nesërme, duke vënë në dukje se kjo është marrëveshja e parë e kësaj natyre e nënshkruar mes BE-së dhe vendeve jashtë kufirit të Bashkimit Europian.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka reaguar lidhur me këtë marrëveshje.

“Marrëveshja midis Kufirit Europian, ‘Gardës Cost’ Frontex dhe Shqipërisë është nënshkrimi i parë i bërë dhe që do hyjë në fuqi me një vend që nuk është në Bashkimin Europian. Rojet e para të kufirit Frontex do të vendosen më 21.05.2019”, deklaron diplomati i BE-së.

Bashkimi Europian po zhvillon negociata për marrëveshje të ngjashme dhe me vende të tjera të Ballkanit që janë jashtë BE-së, si Bosnja Hercegovina, Mali i Zi, Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja synon forcimin e bashkëpunimit në fushën operacionale të Shqipërisë me vendet e BE-së, në kuadrin e menaxhimit të kufijve, migracionit të paligjshëm si dhe kundër krimit ndërkufitar./atsh/