Sot dëgjohet dëshmitari i katërt në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, sot pritet të dëgjohet dëshmitari i katërt.

Kjo u bë e ditur të enjten, në konferencën për medie nga shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep, e cila tha se dëshmitari i katërt në rastin e Gucatit dhe Haradinajt pritet të fillojë dëshminë e tij të premten.

Ndryshe, të hënën trupi gjykues e ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për të thirrur dëshmitarin shtesë, pra dëshmitarin i katërt, për të cilin u tha se është anëtar i stafit të ZPS-së.

Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt ka filluar më 7 tetor 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky gjykim është i dyti që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku tre dëshmitarë kanë përfunduar dëshminë e tyre.

Më 27 tetor 2021, trupi i gjykues ua ka vazhduar paraburgimin Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj deri në marrjen e vendimit pas pranimit të informatave që kanë kërkuar nga Policia e Kosovës (PK).

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.