Sot diskutohet për Ligjin e Pagave

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike organizojnë tryezë diskutimi me temë “Cilat janë pasojat e Ligjit të ri për Paga për buxhetin e Kosovës, qëndrueshmërinë fiskale, sektorin privat dhe mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë”.

Temë diskutimi në këtë tryezë do të jenë implikimet e Ligjit të ri për Paga, si një nga kërkesat e dala nga Agjenda për Reforma Evropiane në kuadër të pakos ligjore për Reformë në Administratën Publike.

Me këtë rast, organizatorët do të publikojnë një analizë politikash e cila fokusohet në identifikimin e implikimeve të mundshme të rritjes së pagave si rezultat i miratimit të Ligjit të ri për Paga.

Kjo analizë shqyrton efektin që ky ligj mund të ketë në buxhetin e Kosovës, qëndrueshmërinë fiskale, sektorin privat, si dhe ndikimin e mundshëm socio-ekonomik.