Sot në Gjermani nis gjykimi i të dyshuarve për planifikim të sulmeve ndaj myslimanëve

Të martën në Shtutgart të Gjermanisë do të fillojë procesi gjyqësor kundër 11 pjesëtarëve të dyshuar të një grupi terrorist të së djathtës ekstreme. Ata u arrestuan në shkurt të vitit të kaluar.

Prokurorët thonë se 11 të dyshuarit, të gjithë gjermanë, kanë qenë anëtarë të grupit “Gruppe S”, i cili ka planifikuar sulme ndaj imigrantëve, myslimanëve dhe politikanëve, me qëllim të nxitjes së një lufte civile.

Një i dymbëdhjetë, ish-polic, po akuzohet për ofrim të materialit mbështetës për këta persona. Ai gjithashtu do të gjykohet, shkruan BBC.

Një person ndodhet ende në arrati dhe do të gjykohet në mungesë. Në aktakuzë thuhet se anëtarët e këtij grupi kanë pasur për qëllim që ta tundin dhe që përfundimisht ta rrëzojnë rendin shtetëror dhe shoqëror.

Werner S, që dyshohet se ka qenë udhëheqës i grupit, e kishte organizuar takimin fillestar mes anëtarëve në shtator të vitit 2019. Gjatë muajve në vazhdim, persona të tjerë iu bashkuan grupit dhe mbajtën kontakte mes vete përmes telefonave dhe internetit.

Sipas dokumenteve të hetimeve që janë parë nga transmetuesi publik gjerman, ZDF, dhe gazeta “Stuttgarter Nachrichten”, Werner S kishte planifikuar që të siguronte një armë Kalashnikov me 2.000 grumbuj fishekësh, një armë Uzi dhe granata dore. Dyshohet se grupi kishte 27 armë pa leje, kryesisht pistoleta.

Shumica e anëtarëve të këtij grupi ishin gjithashtu anëtarë në grupe tjera të së djathtës ekstreme, pëfshirë grupin “Bruderschaft Deutschland” (“Vëllazëria Gjermane”), raportoi televizioni gjerman, ARD.