Sot përfundon afati për institucionet paralele serbe që ta lirojnë objektin në veri

Sot përfundon afati që institucionet e Kosovës, përkatësisht ato të Mitrovicës së Veriut i kanë dhënë katër institucioneve paralele serbe që të lirojnë objektin që shfrytëzohet nga ta në Lagjen e Boshnjakëve.

Sipas autoriteteve të komunës së Mitrovicës së Veriut, objekti në Lagjen e Boshnjakëve që shfrytëzohet nga institucionet paralele serbe është pronë e komunës dhe i njëjti duhet të lirohet.

Fillimisht, vendimi për lirimin e objektit ishte paraparë të jetë më 25 gusht, por që më pas u shty për dy javë nga vetë komuna e Mitrovicës së Veriut.

Në lidhje me vendimin e komunës së Mitrovicës së Veriut, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, pati thënë se janë të shqetësuar për implikimet në situatën e sigurisë të vendimeve të fundit të marra nga administrata e komunës së Mitrovicës Veriore.

Sipas Stanos, vendimi i komunës “bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme për të de-përshkallëzuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë”.