Specialja heq nga paneli gjyqtarin i cili garancionet e shteteve të treta i konsideronte vendimtare për lirimin me kusht të Thaçit

Gjyqtari i Dhomave të specializuara, Kai Ambos, i cili konsideronte se garancionet që mund të jepeshin nga vendet e treta do të ishin vendimtare për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi, është larguar nga paneli shqyrtues. Derisa gjyqtari i procedurës paraprake, Nikola Giju, nuk ka marrë për bazë rekomandimet e Ambos për lirimin e Thacin me arsyetimin se asnjë kusht shtesë nuk mund të adresojë sa duhet rreziqet e paraqitura nga Thaçi.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po mundohen ta eliminojnë çdo mundësi për lirimin më kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësve tjerë të UÇK-së nga paraburgimi në Hagë.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake, Nikola Giju, në vendimin e datës 23 korrik ka refuzuar kërkesën e ekipit të mbrojtjes të ish-presidentit Thaçi për lirimin e tij me kusht pa i marrë për bazë garancionet e vendeve të treta.

Këtë e ka bërë pa ndonjë vlerësim të këtyre garancioneve, nga një panel i gjykatës, ani pse një gjë e tillë parashihet me ligjet dhe rregulloret në fuqi.

Por, kjo nuk është përfillur nga gjyqtari Giju. Ai madje as nuk e ka vlerësuar të nevojshëm shqyrtimin e këtyre garancioneve.

Giju, konkludon se nuk ka qenë e nevojshme t’i vlerësojë garancionet e ofruara për lirimin me kusht të ish-presidentit Thaçi. Në vendimin e tij, Nikola Giju konsideron se asnjë kusht shtesë, përfshirë kushtet e propozuara ose ndonjë kusht tjetër nuk mund të adresojë sa duhet rreziqet e paraqitura nga Thaçi.

“Në veçanti, Gjyqtari i Procedurës Paraprake konstaton se edhe një kufizim i plotë në qasjen e z. Thaçi në telekomunikacion dhe në komunikim në internet, përpos ndalimit të kontaktit me ndonjë palë të tretë që nuk është familja e tij e ngushtë dhe ekipi i tij mbrojtës, nuk do ta pengonte atë të udhëzonte persona të tjerë”, thuhet ndër të tjera në paragrafin 55 të vendimit të Giju.

“Për këtë arsye, Gjyqtari i Procedurës Paraprake, gjithashtu nuk është i obliguar të kërkojë pikëpamjet e (REDAKTUAR) në lidhje me lirimin e përkohshëm të z. Thaçi në territoret e tyre përkatëse”, thuhet më tej në këtë paragraf të vendimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake.

Megjithatë, merret vesh në favor të qasjes së këtij gjyqtari Dhomat e Specializuara, se nga paneli i Gjykatës së Apelit për shqyrtimin e ankesës së mbrojtjes së Thaçit tanimë janë duke e larguar gjyqtarin Kai Ambos.

Në kuadër të vendimit të datës 29 korrik, lidhur me shqyrtimin e kërkesës së palës mbrojtëse për afat shtesë, për depozitimin e ankesës në kundërshtim të vendimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, kryetarja Ekaterina Trendafilova kishte caktuar një panel prej tre gjyqtarëve në përbërje të Michèle Picard, Emilio Gatti dhe Nina Jørgensen.

Por, në këtë panel mungonte gjyqtari Kai Ambos, i cili kishte vlerësuar se ofrimi i garancionit nga një shtet i tretë do të ishte vendimtar për lirimin me kusht të z. Thaçi.

Gazeta Insajderi ka pyetur Dhomat e Speciaizuara të Kosovës në Hagë nëse këto vendime po i paraprijnë largimit të gjyqtarit Kai Ambos nga paneli i ardhshëm i Gjykatës së Apelit për shqyrtimin e ankesës eventuale të mbrojtjes së z. Thaçi, pasi që ishte pikërisht ky gjyqtar që ia kishte hapur mundësitë lirimit me kusht, nëse siguroheshin garancione shtetërore të vendeve të treta.

Mirëpo Dhomave të Specializuara nuk janë përgjigjur në pyetjen direkte lidhur me mospërfshirjen e gjyqtarit Kai Ambos në panel.

“Rregullat për caktimin e gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara parashikojnë që për këtë, Kryetarja duhet të udhëhiqet nga kritere objektive, si dhe nga preferencat e vetë gjyqtarëve dhe disponueshmëria e tyre në kohën e fillimit të procedurës konkrete”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara lidhur me mospërfshirjen e gjyqtarit Kai Ambos në panelin për shqyrtimin e kërkesës së palës mbrojtëse të ish-presidentit Thaçi.

Gazeta Insajderi ka kërkuar të dijë nga Dhomat e Specializuara në Hagë edhe pse Gjyqtari Nikola Giju, ka injoruar tërësisht rekomandimet e gjyqtarit të Apelit, Kai Ambos, i cili kishte thënë se një garancioni nga një shtet i tretë do të ishte vendimtar për lirimin me kusht të Thaçit.

Në përgjigjen e tyre, Dhomat e Specializuara thonë se as kushtet e propozuara dhe as kushtet shtesë nuk do të zbusin në masë të mjaftueshme rreziqet e parapara për lirimin e Thacit.

“Në paragrafët 55-56 të Vendimit, Gjykatësi i Procedurës Paraprake shpjegon arsyet pse “Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstaton se as kushtet e propozuara dhe as kushtet shtesë nuk do të zbusin në një masë të mjaftueshme rreziqet e parapara”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.

Aktakuza kundër katër ish-udhëheqësve të UÇK-së është konfirmuar në tetor të vitit të kaluar.

Në aktakuzë Prokuroria e Dhomave të Specializuara, pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, se ish-udhëheqës të UÇK-së si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, kanë përgjegjësi penale individuale për krimet që pretendohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë.

Me vendimin e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, pas parashtresave të mbrojtjes së Thaçit, deri në shtator obligohet Zyra e Prokurorit të Specializuar që ta korrigjojë aktakuzën në rastin “Hashim Thaçi dhe të tjerët”