Specialja ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit

Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia ka vazhduar paraburgimin ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Këtë vendim, gjyqtari Nicollas Guillou e ka marrë gjatë ditës së sotme.

Me këtë rast, është urdhëruar mbrojtja që parashtresat në lidhje me rishikimin tjetër të paraburgimit t’i dërgojë deri më 29 gusht.

Ndërkaq, kundërpërgjigjet, Prokuroria mund t’i dërgojë deri më 6 shtator.

Në vendimin që është bërë publik sot nga Specialja, thuhet se ende nuk kanë pushuar arsyet që Veseli po mbahet në paraburgim.

Në mesin e këtyre arsyeve gjyqtari i procedurës paraprake ka përmendur rrezikun e ikjes, ndikimit në dëshmitarë, shkatërrimin e provave dhe pengimin e procedurave.

Për mbajtjen në paraburgim, gjyqtari paraprak nuk ka marrë parasysh as garancinë nga Policia e Kosovës se është në gjendje ta zbatojë secilën masë të përcaktuar nga Specialja.

Në paraburgim vazhdojnë të jenë edhe Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa, Pjetër Shala, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.