Specialja ka ftuar pesë persona për këtë javë, njëri po refuzon të shkojë (video)

Pesë persona vetëm brenda një jave janë ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për t’u intervistuar.

Nga këto 5 ftesa, një ish-pjesëtar i UÇK-së, Bashkim Gashi ka refuzuar të paraqitet për intervistim dhe për këtë, e ka njoftuar Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, raporton KTV.

Hysni Gucati, kryetar i OVL të UÇK-së tregon se avokatët e një kompanie angleze të cilët janë ofruar për të përfaqësuar palët në këtë proces, tashmë kanë dërguar ankesë me disa shkelje që pretendojnë se po bëhen nga prokurorët e specializuar.

Avokati Tahir Rrecaj, i cili deri më tani ka përfaqësuar 7 persona pranë Dhomave të Specializuara, thotë se shkeljet më të mëdha në këto raste po bëhen pikërisht përmes ftesave.

E të martën, në Hagë do të udhëtojë edhe kandidati për deputet i AAK-së, Lulëzim Kabashi.

Kabashi në Hagë do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit.

Më 25 shtator, për në Hagë do të udhëtojë edhe një ish-pjesëtar tjetër i UÇK-së, Petrit Bojaxhiu.

Derisa ftesë për intervistim, sipas kreut të OVL të UÇK-së, ka marrë edhe një qytetar i thjeshtë.

Për intensifikimin e hetimeve, KTV-ja ka pyetur edhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, të cilët shkurt kanë thënë se nuk mund të japin përgjigje për rastet që janë duke punuar.

Vetëm gjatë javës së kaluar, nga Prokurorët e specializuar, u intervistuan ish-kryetari i komunës së Klinikës Sokol Bashota, Time Kadrijaj nga AAK-ja dhe Safete Hadërgjonaj nga PDK-ja.

Ndërsa, në Slloveni gjithashtu është marrë në pyetje ish-eprori i UÇK-së, Naim Maloku.