Spitalet e Shqipërisë po trajtojnë 750 të lënduar nga tërmeti

Derisa janë 41 viktimat e tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës, ka shkuar në 750 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 660 vetëm në spitalin e Traumës dhe të Durrësit.

Ministria e Shëndetësisë njofton se aktualisht janë të shtruar 65 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç 3 personave që paraqiten në gjendje më të rënduar.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë 572 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura.

Ndërsa 145 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampeve të emergjencës në Tiranë dhe Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë.

Urgjenca kombëtare ka përballuar 3745 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 937 misione me autoambulancë.

Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.