S’respektohet distanca!/ Pasagjerët që kishin të udhëtonin nga Aeroporti i Prishtinës, ngjitur me njëri-tjetrin!

Prej gjashtë muajsh, Kosova po përballet me situatën e krijuar si pasojë e virusit COVID-19.

Përgjatë kësaj kohe me koronavirus u infektuan 12 mijë e 981 persona dhe humbën jetën 498 qytetarë të cilët nuk arritën t’i bënin ballë këtij virusi.

Si pasojë e rrezikut të shpërndarjes së këtij virusi, Qeveria e Kosovës ndërmori disa vendime në mënyrë që qytetarët t’i respektojnë ato dhe që situata e përballjes me këtë pandemi të jetë sado pak më e lehtë.

Ndër to është mbajtja e distancës, vendosja e  maskës dhe higjiena personale.

Por sot në Aeroportin e Prishtinës ‘Adem Jashari’ duket se distanca nuk u respektua, pavarësisht se disa nga pasagjerët të cilët do të udhëtonin nga ky aeroport mbanin maska.

Në disa fotografi të dërguara në redaksi të Indeksonline shihet numër i madh i qytetarëve të cilët po prisnin për të udhëtuar nga ky aeroport, e që ishin thuajse të ngjitur njëri me tjetrin.

Rreziku i përhapjes së virusit është edhe i pranishëm, e afërsia e tillë e qytetarëve rrezikon edhe më tepër ata dhe gjithë vendin.

Duhet përkujtuar që masat e ndërmarra nga institucionet e vendit vazhdojnë të jenë aktive dhe vazhdimisht kërkohet respektimi i tyre.

Madje në Kuvendin e Kosovës së fundi u votua edhe ligji anti-COVID, në bazë të së cilit të gjithë ata që nuk respektojnë masat anti-COVID do të gjobiten./Indeksonline/