Stano i përgjigjet ashpër Gërvallës për deklaratat kundër Lajçak: Të paargumentuara, e papranueshme

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka reaguar ndaj deklaratave të kryediplomates Donika Gërvalla, e cila kritikoi emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak.

Stano për “Telegrafin”, ka deklaruar që “deklaratat e përhershme kritike të paargumentuara kundër BE-së dhe përfaqësuesve të saj thjesht nuk janë të pranueshme”.

“Është absurde të flitet për mungesë vizioni, strategjie dhe rezultatesh të procesit të lehtësuar nga BE-ja në një situatë kur BE-ja dhe SHBA -ja propozuan Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit, për të cilën ranë dakord edhe kryeministri Kurti edhe presidenti Vuçiq, dhe që ofron një platformë të qartë për rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” – citohet të ketë thënë tutje ai.

Ndërkohë, në një intervistë të dhënë të enjten për RTK, Gërvalla konsideroi se emisari Lajçak e ka dështuar procesin e dialogut.
“Ai ka hyrë pa strategji dhe pa vizion në këtë proces të dialogut dhe si duket, i tillë do të largohet nga ky dialog kur t’i skadon mandati. Banjska është dëshmia më e mirë që Lajçaku e ka dështuar gjithë procesin e dialogut.” – tha ajo.