Strakosha nxeh dorezat, sfidon Ronaldon e Dibalën. Portugezi kërkon hakmarrje

0
454

Kristiano Ronaldo ka një llogari të hapur me Thomas Strakoshën, por ky i fundit ka një “bast” personal për të fituar me Paulo Dibalën. Dueli i sotëm mes Lacios dhe Juventusit do të jetë edhe sfidë brenda sfidës, e cila do të shohë portierin shqiptar të kryeqytetasve që të provojë të ndalë me çdo kusht dy “qitësit” e Masimiliano Alegrit.

Më i urituri është CR7, sepse, pasi Strakosha ia mohoi në katër raste me pritje fenomenale golin portugezit, në fazën e parë të këtij kampionati, ylli i Juventusit humbi një penallti edhe në ndeshjen e fundit të luajtur kundër Kievos. Priten shkëndija edhe sot… Sfida me Dibalën – Sfidat mes këtyre dy skuadrave kanë ofruar shumë emocione, sidomos në dy vitet e fundit, ku pa dyshim që Thomasi ka qenë protagonist, por edhe Dibala.

Të dy lojtarët në fjalë kanë nisur një betejë personale që në gushtin e vitit 2017, konkretisht më 13 gusht. Me rastin e Superkupës së Italisë, të luajtur në kryeqytet, lacialët edhe pse ishin duke fituar deri në minutën e 85-të me avantazhin 2-0, Paulo Dibala brenda gjashtë minutave i shënon Strakoshës një dopietë spektakolare, por fatmirësisht, Murxhia, tri minuta më vonë, në kundërsulmin e fundit të ndeshjes, anulon mundësinë që takimi të shkojë në festë dhe i lejon portierit shqiptar dhe shokëve të tij që të ngrenë në qiell Superkupën e Italisë.
strakosha-ronaldoo

Por, Strakosha, duke lënë mënjanë trofeun e fituar, arriti që të hakmerrej me Dibalën dy muaj më vonë, kur në Torino, në minutën e 97- të të takimit, portieri shqiptar fluturon në të majtën e tij dhe ndalon goditjet e argjentinasit, duke i dhënë Lacios një fitore që mungonte prej shumë vitesh në Torino.

Gjithsesi, pas përgjigjes vjen edhe kundërpërgjigjja e dhimbshme e Paulos, në mars të vitit të kaluar, kur me një të majtë në rrëzim e sipër shkund rrjetën e Strakoshës në minutën e 93-të dhe i jep fitoren 1-0 Juves, në “Olimpiko”. Dhe sot, të dy këta do të kenë bastin e radhës që do të luajnë mes tyre, me Thomasin që është më i përqendruar se kurrë, sepse kundër tyre dalin edhe specialistët e basteve që shohin “Zonjën” favorite për fitoren me koeficient 1.85, suksesin e Lacios me kuotën 4.5, ndërsa barazimi 3.5-fishon shumën e luajtur të parave.