Studentët e Kosovës fitojnë tri medalje në garën e matematikës në Bullgari

Ekipi i studentëve të Kosovës ka fituar një medalje të argjendtë dhe dy medalje të bronzta në Olimpiadën Matematikore Ndërkombëtare për Studentë.

Këtë e kanë bërë të ditur Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, përmes një komunikate për media.

Sipas njoftimit, Olimpiada e 26-të e Matematikës Ndërkombëtare për Studentë- IMC 2019 është mbajtur Blagoevgrad të Bullgarisë.

Ndërkaq ekipi i Kosovës fitoi një çmim të dytë- medalje të argjendtë dhe dy çmime të treta- medalje të bronzta.

Shoqata njofton se studenti i Departamentit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës, Fiton Hoxha, ka fituar çmimin e dytë me 45 pikë, ndërsa studentët e Departamentit të Matematikës, Albert Hoxha me 28 pikë dhe Erion Hamiti me 24 pikë, kanë fituar çmimin e tretë.

Mirënjohje nderi kanë fituar studentët: Monika Bunjaku dhe Petrit Avdylaj.

“Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e uron dhe e përgëzon Ekipin e Kosovës për suksesin e arritur dhe për përfaqësim të denjë të shtetit të Kosovës në këtë olimpiadë prestigjioze. Shoqata e Matematikanëve të Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që ka në dispozicion për t’i mbështetur të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës”, thuhet tutje në njoftim.