SBASHK-u pret miratimin e Ligjit për Paga në dhjetor, në të kundërtën nis greva në janar

Pas pesë javësh grevë në arsim, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) e pezulloi grevën deri në janar të vitit 2023.

Por, sipas përfaqësuesve të SBASHK-ut greva në janar mund të mbahet sërish nëse Ligji për Paga nuk plotëson kërkesat e mësimdhënësve lidhur me të ardhurat e tyre.

Rrahman Jasharaj kreu i kësaj sindikate tha për Demokracia.com se greva në muajin janar e paralajmëruar nga kjo sindikatë ka mundësi të mbahet nëse në dhjetor miratohet Ligji për paga dhe aty nuk janë përfshirë kërkesat e sindikatës.

Por, ai shpreson se ka shumë shpresa që me Ligjin e Pagave të rregullohet çështja e mësimdhënësve.

“Tash kemi shpresa te Ligji i Pagave. Presim nga institucionet që të jetë e vërtetë, të aprovohet ky ligj”.

Jasharaj tha se deri tash fajtor i situatës së krijuar ka qenë mungesa e këtij ligji. Derisa ligji prolongohej ai tha se në anën tjetër kishte rritje të çmimeve. “Urojmë që të kemi ligjin në janar dhe të mos ketë nevojë për greva”, tha ai duke shprehur besimin e tij se ky ligj në dhjetor do të miratohet në Kuvend.

Megjithkëtë, Jasharaj ka thënë se ligjin si draft nuk kanë pasur qasje që ta shohin, por sipas tij propozimet e SBASHK-ut për këtë ligj janë dërguar në MASHT dhe nga kjo ministri kanë marrë si përgjigje se propozimet e sindikatës janë të afërta me ato të ministrisë. “Ligjin do ta analizojmë pas miratimit dhe nëse do të jetë i pranueshëm do të ketë pëlqimin tonë. Është përfolur që koeficienti të ketë lëvizje në paga 110 dhe 120”, tha ai. Për Jasharajn e pranueshme do të jetë që koeficienti të jetë në vlerën 120 dhe mbi.

Që nga përfundimi i grevës, SBASHK nuk ka pasur takim me ministren Arbërie Nagavci. “Kemi kërkuar takim me ministren Nagavci me shkrim, por përgjigjja nga kabineti ka qenë se ka agjendën e ngjeshur”.

Sipas Jasharajt për të mos pasur shkëputje të dialogut social, SBASHK është takuar me zv.ministrin Dukagjin Pupovcin.