Sulm në Universitetin Shtetëror të Miçigenit, vriten tre persona

Të paktën tre persona janë vrarë, pasi një njeri i armatosur hapi zjarr në Universitetin Shtetëror të Miçigenit, njoftoi policia amerikane.

Autoritetet thanë se sulmuesi i dyshuar ka vdekur, qartazi nga “një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri”.

Pesë persona mbetën të lënduar në sulmin që ndodhi në kampusin kryesor të universitetit në qytetin East Lansing të hënën vonë, raporton televizioni BBC.

Policia e përshkroi të dyshuarin si “burrë me ngjyrë, me shtat të shkurtër”. Gjatë kërkimit të tij, studentëve dhe banorëve iu bë thirrje për t’u strehuar.

Autoritetet e sigurisë thanë më vonë se “nuk ka më kërcënim ndaj kampusit dhe se masa për t’u strehuar është larguar”.

Të shtënat filluan pak pas orës 20 sipas kohës lokale të hënën. Policia iu përgjigj rastit, duke gjetur viktima në pjesën veriore të kampusit dhe në një ndërtesë ngjitur me Unionin e Universitetit Shtetëror të Miçigenit.

Në një konferencë për gazetarë, policia tha se ekzistojnë disa vende krimi dhe se hetimi është duke vazhduar. Motivi i sulmuesit nuk është ende i njohur.

Disa autoambulanca arritën në vendin e të shtënave dhe të lënduarit – besohet se disa prej tyre janë në rrezik për jetë – janë duke u trajtuar në spital.

Të gjitha aktivitetet e kampusit janë anuluar për të paktën 48 orë. Qyteti East Lansing shtrihet rreth 110 kilometra në veriperëndim të Detroitit.