Sulme ndaj bashkëshortes dhe rrahje në mes familjes, raportohen 6 raste

Dhuna në familje vazhdon në kohen e pandemisë. Në raportin e fundit të policisë, janë raportuar gjashtë raste, ku viktima kanë qenë bashkëshortet, por kishte raste ku janë sulmuar familjarët e tjerë.

Sipas Policisë, më 9 maj, në Prishtinë është arrestuar i dyshuari, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare.

Viktima është dërguar në strehimore , ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokuronit është dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar.

Po në Prishtinë, është arrestuar një i dyshuar, pasi i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj dy viktimave meshkuj kosovarë, familjarëve të tij.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Shtime, janë arrestuar tre të dyshuarit meshkuj kosovarë pasi janë rrahur mes vete. Tre të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit dy prej tyre janë dërguar në mbajtje ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet.

Kurse, në Prizren, viktima femër kosovare ka informuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari i mitur. I dyshuari gjendet në arrati.

Arrestimi tjetër në Prizren, është për shkak se ka sulmuar fizikisht viktimën femër dhe viktimën mashkull. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

E në Gjakovë janë arrestuar dy të dyshuar, pasi që ishin përleshur në mes vete. Njëri nga të dyshuarit ka pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.