Sulmi në uzinën e Gramshit, reagon Ministria e Mbrojtjes: Agresorët i kemi ndaluar

Me anë të një njoftimi, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në sulm janë përfshirë dy rusë dhe një ukrainas, ndërkohë që ende nuk bëhet i ditur identiteti i tyre.

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas sulmit në Uzinën ushtarake të Gramshit. Me anë të një njoftimi, MM bën me dije se në sulm janë përfshirë dy rusë dhe një ukrainas, ndërkohë që ende nuk bëhet i ditur identiteti i tyre. Po ashtu njoftohet se agresorët janë kapur që të tre, ndërkohë që ushtarët shqiptarë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i MM-s:

Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh. Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë. Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.