Superpuna/ Kurti njofton për zgjerim të grupmoshës nga 18 deri në 29 vjeç

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë marrë pjesë në lansimin e zgjerimit të platformës “Superpuna”.

Në fjalën hyrëse, Kurti ka bërë të ditur se nga 18 deri në 25 sa ka qenë, tani është zgjeruar grupmosha për personat që mund të përfitojnë nga “Superpuna” në nga 18 deri në 29 vjeç.

“Kjo platformë ka arritur që të bëjë ndërmjetësimin e suksesshëm të punësimit të 9394 të rejave dhe të rinjve, prej tyre, 4635 persona e kanë përfunduar gjashtëmujorin e paraparë përmes platformës Superpuna”, ka bërë të ditur Kurti.

Sipas tij, nga ky numër 3108 të rinj, 1599 djem dhe 1509 vajza janë bërë punëtorë të rregullt.

“Kjo i bie që 67% të punëtorëve të ndërmjetësuar përmes Superpunës kanë vazhduar të qëndrojnë aktivë në tregun e punës. Pra, Superpuna jo vetëm që ka mundësuar që të rinjtë të fitojnë përvojë pune, por gjithashtu edhe ka ndikuar që të rinjtë të dëshmojnë kapacitetin e tyre dhe ta zhvillojnë vijimin e tyre profesional duke lidhur kontrata të rregullta me punëdhënësin”, është shprehur Kurti.

“Duke pasur parasysh ndikimin e jashtëzakonshëm, kemi vendosur që të zgjerojmë grupmoshat që mund të përfitojnë nga kjo platformë, pra nga 18-25 vjeç sa ishin grupmoshat, tash do të zgjerohet grupmosha nga 18-29 vjeç”, ka theksuar Kurti.

Kujtojmë se Superpuna është platformë punësimi e krijuar nga Qeveria e Kosovës, në kuadër të skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, e cila lehtëson qasjen e të rinjve në tregun e punës dhe ndihmon bizneset në angazhimin e punëtorëve të rinj.