Suspendimi i policit Hoxha, reagon Dardan Molliqaj

Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj sot doli në mbrojtje të policit Amir Hoxha i cili tha se u suspendua pasi kërkoi shujtat për policët në një postim ku kritikoi shpenzimet e deputetëve për derivate.

Reagimi i Molliqajt vjen vetëm pak ditë pasi ai vetë ishte përplasur fizikisht me një koleg të policit Hoxha, gjatë protestës të organizuar nga partia e tij për shtrenjtimin e rrymës, për çka më pas u arrestua nga policia.

“Polic i mirë është polici i (pa)dëgjueshëm Nuk ka profesion më të keqpërdorur nga qeveria Kurti, sesa ai i policit. Mbani mend skenat në veri për hesape elektorale? Por kontrolli nga sipër, që vie duke u rritur, po fillon me ata që cenojnë idiliken e demokracisë. Polici i përjashtuar nga puna shpërfaqi kontradiktën në mes të privilegjeve të atyre në pushtet dhe kushteve të vështira të punëtorit. Prandaj u largua. Ai tha shumë, me pak fjalë. Polici nuk është trup në shërbim të privilegjeve të shefit”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Molliqaj tha se suspendimi i policit Hoxha tregon për totalitarizëm në pushtetin e Albin Kurtit.

“Kushtet e punës, pa sigurim shëndetësor e me orar e terren të vëshirë pune, ditë e natë, policin e dobësojnë. Mbajtja nën kushte minimale është shfrytëzim. Sindikata e policisë duhet të zgjohet. Polici nuk është robot. Përjashtimi nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar. Arkitektura e nënshtrimit është e gatshme. Shembja e saj domosdoshmëri. Por sikur në secilin profesion, njeriu nuk është i reduktueshëm në punën që bënë. Polici është edhe qytetar. Amir Hoxha u largua nga puna sepse theu rendin që ia kërkonte heshtjen dhe nënshtrimin. Me përjashtimin e tij u sulmua e drejta demokratike e fjalës dhe e drejta për punë”.

Molliqaj e ka mbyllur reagimin e tij duke thënë se “shembujve për disiplinim që po na jep pushteti duhet t’i përgjigjemi me mësime që jep organizimi sindikal”.