Sveçla: Migrimi mbetet një sfidë për shtetin e Kosovës

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt konferencë për lansimin e projektit: “Zgjerimi i Qeverisjes së Migrimit nëpërmjet programimeve të bazuara në evidenca dhe Forcimi i Kapaciteteve të Autoriteteve të Migrimit në Kosovë”.

Ministri Xhelal Sveçla vuri në dukje se projekti që po lansohet sot është i rëndësishëm në përmbushjen e objektivave tonë në fushën e migrimit.

“Zgjerimi i kapaciteteve dhe infrastrukturës për pritjen dhe trajtimin e migrantëve që është pjesë e këtij projekti, reflekton prioritetet dhe politikat tona shtetërore për: menaxhim të lëvizjeve migratore, si dhe trajtimin e migrantëve sipas standardeve ndërkombëtare dhe parimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut etj”, ka thënë Sveçla.

Sveçla shtoi se migrimi mbetet një sfidë për shtetin e Kosovës, rajonin dhe më gjerë.

“Zhvillimet e ndryshme sidomos luftërat dhe konfliktet detyrojnë largimin dhe migrimin nga vendet e ndryshme të botës, të cilët lëvizin përmes rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, prioriteti jonë ka qenë dhe mbetet parandalimin i migrimit të parregullt, duke luftuar grupet kriminale që merren me kontrabandim me migrantë, si dhe duke zgjeruar infrastrukturën dhe përmirësuar shërbimet për pritjen, akomodimin dhe trajtimin e dinjitetshëm të migrantëve dhe aplikuesve për mbrojtje ndërkombëtare”, theksoi ministri Sveçla.

Objektiv i përgjithshëm i këtij projekti është që të kontribuojë në përmirësimin e qeverisjes së migrimit, duke u bazuar në evidenca gjithëpërfshirëse dhe të maksimizojë potencialin e migrimit për të arritur rezultate konkrete të zhvillimit të qëndrueshëm.