LDK: Shqetësuese situata në veri, Kurti të mos heqë dorë nga ushtrimi i sovranitetit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se është shqetësuese situata në veri të vendit në lidhje me zhvillimet e fundit të koronavirusit.

“Situata në veriun e vendit, përveç problemeve me pandeminë po përkeqësohet edhe me ndërhyrjet e vazhdueshme të Beogradit. Si gjithmonë, Serbia nuk brengoset për fatin e qytetarëve të Kosovës në veri, por qëllimi i saj është zgjerimi i ndikimit në këto komuna”, thuhet në reagimin e partisë.

“LDK shpreh shqetësimin e saj se si vendimet e autoriteteve të Serbisë po zbatohen për vendosjen në karantinë të komunave në veri. Edhe më shqetësuese është fakti i heshtjes së Qeverisë së Kosovës përballë këtij ataku të drejtpërdrejt të sovranitetit të shtetit”.

LDK tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet tjera kompetente duhet të garantojnë shëndetin e qytetarëve në veri, të ofrojnë ndihmën e nevojshme sikur në çdo pjesë të Kosovës, por nuk duhet në asnjë mënyrë të heqin dorë nga ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin.

“Ajo që është arritur për vite të tëra për shtrirjen e sovranitetit në veri, kthimin e pikave doganore, zbatimin e marrëveshjeve për integrimin e sistemit të drejtësisë dhe policisë, nuk bën të rrënohet nga kryeministri në detyrë dhe vartësit e tij”.

“Institucionet e Kosovës duhet të garantojnë sovranitetin në çdo fushë, por edhe t’ju dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie për tejkalimin e situatës së emergjencës shëndetësore”.