Sveçla: Ndonëse lirimi i policëve sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri

Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës.

Lidhur më këtë ka ardhur reagimi nga Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri.

‘’Serbia vazhdon me lojërat e saj.Policët tanë sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës. Për t’u bashkuar kështu me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës.Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cënimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës’’, është shprehur Sveçla.

Theksojmë se Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin arrestuar më 14 qershor.