Sveçla: Nisma e AKR-ja në asnjë variant pjesë e Qeverisë Kurti

Sipas Xhelal Sveçlës së Vetëvendosjes, koalicioni Nisma-AKR-PD nuk do të jetë në asnjë variant pjesë e qeverisë së re.

Ai ka thënë në Interaktiv të KTV-së se zgjatja e procesit të numërimit të votave nga zgjedhjet e 6 tetorit u bë me “arsye politike vetëm që të fusin Nismën dhe AKR-në në Kuvend”.

Teksa ka shtuar se pret që kur të përfundojë rinumërimi ky koalicion të mbetet jashtë Kuvendit, Sveçla ka deklaruar se edhe nëse futen, ata s’duhet të jenë pjesë e qeverisë së re.

“Kanë mbetur edhe 400 vendvotime. Mendoj se s’do ta kalojnë. Në skenën e madhe është e parëndësishme. Ka numra për të formuar qeverinë edhe pa Nismën e AKR-në. Në asnjë variant këto dy subjekte s’janë pjesë e Qeverisë. S’duhet qeveria e re t’i ngjajë asnjë formë qeverisë PAN. Këto s’mund të shtojnë kualitet në qeverisjen e ardhshme”, ka deklaruar ai.

Sveçla, tutje ka shtuar se presin që sa më parë të formohen institucionet e vendit.

Ai ka thënë se në fillim të javës së ardhshme pritet të përfundojë procesi i rinumërimit, pastaj të ndodhë edhe certifikimi i zgjedhjeve e pastaj konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“Duke u bazuar në kërkesat e qytetarëve qeveria duhet të bëhet sa më shpejt. Mos ta harrojmë edhe çështjen e buxhetit i cili duhet të miratohet sa më shpejtë”, ka thënë ai.

Duke folur për numrin e ministrive, Sveçla ka thënë se nga 21 ai do të zbresë në 12 teksa ka shtuar se s’kanë qëllim të zvogëlojnë administratën, por që ta bëjnë më efikase.

Ai ka thënë se zgjatja e procesit të fundit është bërë sepse ka pasur hapësira për manipulim. Ka thënë se zvarritja po bëhet që t’i humbet shkëlqimi fitores së opozitës.