Murati: Ka ardhur koha për hapa edhe më të guximshëm në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka deklaruar se ka ardhur koha për hapa edhe më të guximshëm në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, shkruan Fokusi.info.

“Në këto ditë plotë mjegull për Kosovën, shteti shqiptar po i gjendet Kosovës pranë. Në takimin e sotëm në mes të dy kryeministrave tanë Hoti e Rama, u përmendën tri projekte ekonomike: vendosja e doganave të Kosovës në Durrës, ndërtimi i një HEC-i në Shqipëri për nevoja të Kosovës dhe ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Tiranë”, ka shkruar Murati.

Statusi i plotë:

Ka ardhur koha për hapa edhe më të guximshëm në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë

Në këto ditë plotë mjegull për Kosovën, shteti shqiptar po i gjendet Kosovës pranë. Në takimin e sotëm në mes të dy kryeministrave tanë Hoti e Rama, u përmendën tri projekte ekonomike: vendosja e doganave të Kosovës në Durrës, ndërtimi i një HEC-i në Shqipëri për nevoja të Kosovës dhe ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Tiranë.

Përderisa ky i pari është dashur moti të realizohet, së paku prej vitit 2016 e këtej, por është zvarritur mbi të gjitha për shkak të neglizhencës së palës së Kosovës, këto dy projektet e tjera më lanë përshtypje se megjithatë ka filluar të mendohet që pak më guximshëm të futemi në projekte të përbashkëta të mëdha ekonomike. Nuk ka dyshim të dyja janë të rëndësishme, e sidomos hekurudha do të ishe edhe një hap tjetër strategjik i lehtësimit dhe shtimit të qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave në mes të shqiptarëve, por edhe e shfrytëzimit më efektiv nga ana e bizneseve të Kosovës i portit të Durrësit.

Efekti politik e gjeo-strategjik nuk ka nevojë as të komentohet në këtë rast. Kam besimin e plotë që kjo logjikë e të menduarit duhet të intensifikohet dhe të futemi edhe në projekte të tjera të përbashkëta të mëdha ekonomike. Edhe projekti i Kongresit të qyteteve të Kosovës dhe Shqipërisë është një projekt që duhet përshëndetur. Pandemia dhe në përgjithësi pasiguritë politike globale e rajonale do të duhej të na bënin më të guximshëm në afrimin ekonomik, ushtarak, e politik të Prishtinës e Tiranës.

Pengesat e deritanishme edhe ndërkombëtare në këtë afrim çdo ditë e më shumë për shkak të ndryshimit të këtij konteksti po fashiten. Kështu duhet më me guxim të lëvizet në drejtim të krijimit të strukturave të përbashkëta administrative e politike (edhe sipas modelit të BE-së, Këshillit Nordik apo Beneluxit por përshtatur realitet shqiptar) në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në mënyrë që edhe në këtë kontekst politik të afrohemi më shumë, të integrohemi e të përgatitemi më mirë edhe për ditën e madhe të bashkimit të vërtetë.